UBT News

OVL-UÇK për protestën e nesërme: Janë bërë të gjitha përgatitjet, po synohet të rishkruhet historia

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mbajtur sot konferencë për media për të prezantuar detajet dhe informacionet për protestën e nesërme të 7 gushtit në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Në konferencë për media Gazmend Syla tha se për këtë protestë janë paralajmëruar të gjitha institucionet për mbarëvajtjen sa më korrekte të saj dhe se janë bërë të gjitha përgatitjet për protestë.

“Në kuadër të organizimit të protestës të paralajmëruar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë bërë të gjitha përgatitjet, kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanta kemi bërë kërkesë të kemi një ambulantë nëse ka nevojë. I është dhënë mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina, ka mbetë vetëm nesër me fillu protesta. Folës të kësaj proteste do jene profesoresha universitare, zonja Nevenka edhe organizuesi i kësaj proteste, Hysni Gucati, pastaj do të jetë edhe një bashkëluftëtari joni, kryetari i BDI, Ali Ahmeti edhe një djalë dëshmori”, tha fillimisht ai.

Syla ftoi sërish qytetarët për pjesëmarrje masive në këtë protestë dhe se OVL-UÇK vazhdimisht ka bërë fushatë diplomatike te bashkësia ndërkombëtare në institucione dhe figura të ndryshme botërore.

Ndër të tjera Syla tha se po synohet të rishkruhet historia jonë dhe se po presin edhe ndonjë reagim ndërkombëtar.

“Për ne është e papranueshme dhe kjo është edhe një motiv shtesë për me dalë në protestë por edhe në protestat tjera që do kemi pas kësaj, për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të mos lejojnë një gjë të tillë pasi aty po synohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kjo i lëkund themelet e shtetit tonë. Jemi duke pritur nëse do ketë reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, përfundoi Syla.

Gjykata Speciale së fundmi ka pranuar si dëshmi edhe dëshmi nga institucionet serbe, teksa Syla shpreh shqetësim të thellë për këtë fakt duke ftuar edhe reagim ndërkombëtar.

Exit mobile version