Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se shumë shpejt do të bëhet e ditur data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se kjo do të ndodhë sipas afateve kushtetuese. Ajo shtoi se ekipi i saj ligjor po analizon nevojat për përgatitjen e kësaj seance për të siguruar një konstituim të suksesshëm të Kuvendit.
Në një deklaratë për media, Osmani tha se presidenti ka marrë zyrtarisht njoftimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për ndarjen e ulëseve në Kuvend. Ajo shtoi se, sipas Kushtetutës, presidentja ka afat 30 ditë nga certifikimi i rezultateve për të thirrur seancën konstituive.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30% të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95%, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27%, dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06%./UBTNews/