UBT News

Osmani pret në takim ambasadorin turk: Vlerësohet lart mbështetja për FSK-në dhe diplomacinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet aktuale politike.

Gjatë kësaj bisede, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si në planin historik, ashtu edhe gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në fushat jetike si mbrojtja dhe diplomacia.

Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi lart rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe përkrahjen e palëkundur që ky shtet ka ofruar në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Ajo drejtoi një falënderim të veçantë për Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit Angılı dhe të gjithë stafit të Ambasadës Turke në Prishtinë.

“Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, thuhet në njoftimin e presidencës.

Gjatë takimit, të dy palët riafirmuan përkushtimin e tyre për ta fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët.

Në përmbyllje të bisedës, u diskutua edhe për aspektin sportiv, konkretisht për ndeshjen e ardhshme kualifikuese për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Me këtë rast, u shpreh dëshira që kjo përballje në fushën e blertë të karakterizohet nga fryma e lartë sportive dhe respekti i ndërsjellë që ekziston mes dy vendeve.

 

Exit mobile version