Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, njoftoi Presidenca. Ajo pason ish-ambasadorin finlandez, Matti Nissinen.
Në njoftim thuhet se Osmani e uroi ambasadoren për detyrën e re dhe “shprehu bindjen se gjatë mandatit të saj marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më tej”.
“Presidentja Osmani e vlerësoi Finlandën si një partner të rëndësishëm të Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë rrugëtimit euroatlantik të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Osmani rikujtoi vizitën e saj zyrtare në Finlandë, të cilën e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe si “dëshmi konkrete të miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe mbi mundësitë për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, bëri të ditur Presidenca.