Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest, ka deklaruar se Kosova ka pasur mbështetjen e çdo administrate të SHBA-së qe nga fillimi i viteve ’90 dhe beson se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe me administratën e presidentit Donald Trump.
Osmani ka thënë se Kosova do të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve euro-atlantike pasi një gjë e tillë është në dobi të sigurisë dhe paqes botërore.
“Është një iniciativë që beson fort në partneritetin midis vendeve evropiane si dhe Shteteve të Bashkuara, pra ajo beson në vlerat e përbashkëta euroatlantike. Besoj, si një vend që ka përfituar kaq thelbësisht nga ky partneritet euroatlantik, që zgjedhja e presidentit Trump do të vazhdojë të forcojë këtë marrëdhënie dhe sigurisht që të gjithë do të japim një kontribut në këtë drejtim. Unë besoj fuqishëm se ky bashkëpunim i fortë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë, është në dobi të sigurisë dhe paqes botërore”, ka thënë Osmani.
Duke folur mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Osmani ka shtuar se diskutimet po vazhdojnë mes kryenegociatorëve për mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura, teksa bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Po vazhdojnë diskutimet në Bruksel mes kryenegociatorëve, kryesisht se si mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur. Këtu siç e dini, temat janë vendosur, kryesisht është se si mund të bashkohemi të gjithë si vende evropiane në gjetjen e zgjidhjeve për çështje si paqja, stabiliteti, siguria ekonomike, si dhe kriza energjetike. Pra, ne do të japim kontributin tonë të vogël, por mendoj të rëndësishëm, dhe në të njëjtën kohë, sigurisht, do të bëjmë thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, sepse ne besojmë se ky nuk është vetëm një kërcënim për sovranitetin e Ukrainës, por një kërcënim për sigurinë e të gjithëve ne, dhe sa më të fortë të jemi, aq më të bashkuar të jemi në përballjen me këtë sfidë të sigurisë në kontinentin tonë, aq më mirë për të gjithë ne”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, për fitoren e republikanit Donald Trump, presidentja e Kosovës ka theksuar se nuk e sheh si kërcënim.
“Nuk e shoh si kërcënim, Kosova në fakt ka përfituar për dekada nga një mbështetje mbi partizane nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet, ne punuam shumë ngushtë me çdo administratë dhe unë besoj fuqimisht që do të vazhdojë të jetë kështu”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka potencuar se është një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet tona dhe për të pasur një rol të fortë të Shteteve të Bashkuara për çështjet që kanë të bëjnë me paqen, stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.
Komuniteti Politik Evropian u themelua mbi parimin e pozitës së barabartë të të gjithë anëtarëve, të gjitha vendeve brenda kontinentit evropian, me qëllim jo vetëm diskutimin, por edhe gjetjen e zgjidhjeve për sfidat e përbashkëta.