UBT News

Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se Qeveria e Kosovës ka zotuar 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetarë në Kosovë në vitin 2030.

Ajo ka thënë se kjo shifër është e ndarë në tri fusha, ku mbi 204 milionë do të shkojnë për përgatitjen dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive, ndërsa pjesa tjetër për shpenzime operacionale si dhe 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

“Janë 250 milionë euro të zotuara nga Qeveria e Kosovës për këtë organizim. 204 milionë e 337 mijë e 500 euro të ndara për infrastrukturën sportive, 49 milionë e 108 mijë euro për programe dhe shpenzime operacionale për të arritur të organizojmë lojëra të suksesshme në vitin 2030 si dhe janë 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për dhënien e të drejtave ekskluzive Kosovës për organizimin e kësaj ngjarje”, theksoi Osmani.

Ajo foli edhe për ndërtimin e stadiumit nacional për të cilin tha se duhet të jetë i gatshëm në vitin 2030, por për të cilin tha se ende nuk është caktuar lokacioni dhe se kjo do të bëhet pas studimit të fizibilitetit.

“Stadiumi nacional, temë dhe projekt ndër vite i përmendur në komunitetin sportiv por edhe më gjerë. Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një stadium nacional, andaj tani është futur në kuadër të kësaj platforme, kësaj kornize të cilën duhet të mobilizohemi maksimalisht që të sigurohemi që në vitin 2030 të jetë i gatshëm që të mirëpres sportistët e 26 shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Sa i përket lokacionit dhe projektit, përgjigjet e kësaj çështje do të na i kthej studimi i fizibilitetit, analizat të cilat do të bëhen, e të cilat do të na tregojnë se ku është vendi ideal për ndërtimin e këtij stadiumi, për shkak se duhet të kemi parasysh që ndërtimi e ka një kosto”, tha Osmani.

Përveç stadiumit, Osmani theksoi se do të ndërtohen e rinovohen edhe shumë palestra sportive, ndërtohen pishina olimpike si dhe një shteg për biçikleta.

Exit mobile version