Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se ka pasur takim me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ajo nuk ka dhënë detaje të këtij takimi, veçse tha se janë në kontakt të vazhdueshëm.
Kështu u deklarua ajo pas konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimit të të Mbijetuarve të Torturës, ku u diskutua për dhunën seksuale.
“Po, jemi takuar, kemi biseduar dhe vazhdimisht jemi në kontakt”, deklaroi Osmani.
E pyetur lidhur me çështjen e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ajo tha se është deklaruar për një gjë të tillë.
“Jemi deklaruar dhe çfarëdo që ka tjetër shtesë, ju kisha lutur që të dërgoni pyetjet me shkrim edhe ju dërgojmë përgjigjet, sepse me të vërtetë më duhet të shkojë se jam shumë vonë për takimet tjera”, deklaroi Osmani.
Osmani nuk u përgjigj as në pyetjet e gazetarëve për çështjen e dialogut.
Për çështjen e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, opozita ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për çka pati akuza për partitë në pushtet.
Ndërkaq, ditë më parë Ministria e Mbrojtjes ka thënë se është hapur konkursi për pranimin e stafit profesional të kuzhinierëve dhe se me pranimin e personelit prej 106 personash, kjo problematikë do t’i përkas së kaluarës.