Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti serb gjatë luftës në Kosovës, ka përdorur si mjet të fortë dhunën seksuale, ndërsa ka deklaruar se historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit.
Në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani i ka quajtur heroina dhe vetë nderi i Kosovës të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Për gjatë 25 viteve, KRTC ka bërë një gjë që vështirë të përshkruhet me një fjalim. U siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës por edhe para botës dhe mund të vazhdojë luftën për drejtësi. Dua të iu siguroj që mbështetja për juve nuk do të ndalet por do të vazhdojë dhe ne do të luftojmë për këtë kauzë. Për gjatë këtyre, ne vazhdimisht e kemi kujtuar dhimbjen e së kaluarës, e mbi të gjitha ka një vendosmëri për të kërkuar drejtësi. Dhuna seksuale u përdor edhe si mjet nga udhëheqësi gjenocidial i Millosheviqit, në mënyrë që të vuajnë edhe gjeneratat pasuese. Historia dëshmoi një qendresë të popullit tonë, dhe kjo u dëshmua nga të mbijetuarat e dhunës seksuale për të treguar të vërtetën”.
“Edhe sot me praninë tuaj po e dëshmoni që historia të mos përsëritet, padrejtwsitë nuk duhet të kalojë në heshtje dhe historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit. Jam e lumtur që Kosova për këto vite ka krijuar mekanizma që secila e mbijetuar ta ndjejë ndihmën e shtetit. Unë jam krenare për punën që po bën Vasfija”.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti, tha se nga viti 2019 e deri këtë vit, kanë arritur të dokumentojnë rreth 1300 raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Nga 1300 raste të dokumentuara, 1 212 apo 93 për qind janë gra dhe vajza dhe 88 apo 7 për qind janë burra e djem.
“Kjo konferencë për neve ka rëndësi sidomos për ata që kanë rrugëtuar me neve për 25 vite sidomos në rehabilitin e dhunës seksuale gjatë luftës. Më kujtohet vjeshta e vitit 98-të dhe për herë të parë me ra të takoja njerëz që ishin plagosur në luftë, njerëz që i kishin humbur familjarët. Prindër që ishin ndarë nga fëmijët e tyre por edhe fëmijë që ishin ndarë nga prindërit. Në mesin e personave ishin edhe histori që nuk kishin zë fare e ata ishin të mbijetuarat e dhunës seksuale. Përpos ndihmës mjekësore ata kishin nevojë edhe për rehabilitim psiko-social”.
“Rreth 1 300 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sot nuk janë viktima të heshtura por edhe lidere në komunitet. Ato janë ambasadore të reflektimit dhe zhdukjes së stigmës”, u shpreh Rushiti.
“Beteja për drejtësi nga të mbijetuarat e luftës filloi menjëherë pas luftës. Ato arritën që 23 vite më vonë të depononin dëshmi të cilët më pastaj prodhuan rastin e parë të dënimit për dhunë seksuale gjatë luftës për rastin Vukotiq”, deklaroi Rushiti.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, pati kritika për mënyrën se si gratë e dhunuara gjatë luftës nuk po arrijnë të përfitojnë pension.
“Nuk mund ta dëshmojë para doktorit diçka që kanë ndodhur para 25 vite dhe kjo me të vërtetë është përdhunim për herë të dytë”, u shpreh Krasniqi.