Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas letrës që ka pranuar nga presidenti amerikan, Donald Trump në të cilën Trump e falënderoi Osmanin për përkushtimin dhe miqësinë ndaj SHBA-së.
Osmani tha Kosova do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me SHBA-në në çdo sfidë dhe sukses.
“Mbetem e përkushtuar të punojmë së bashku me Presidentin Trump për ta thelluar edhe më tej aleancën tonë në vitet që vijnë”, tha Osmani përmes rrjeteve sociale derisa shprehu falënderim për presidentin Trump dhe për përkrahjen e tij.
Më 5 gusht, Osmani e pranoi letrën e Trumpit në të cilën ai, ndër të tjera, shprehu dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet e ardhshme.
Presidenti amerikan tha se SHBA-ja dhe Kosova ndajnë lidhje të thellë, të bazuar në respekt të ndërsjellë e vlera të përbashkëta demokratike. Në letër, siç ka njoftuar Presidenca, Trumpi e falënderoi Osmanin për lidership të guximshëm.