Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare në Kuvend, ka thirrur seancën konstituive më 11.02.2026, në orën 12:00.
Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur se “duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11.02.2026, në orën 12:00”.
Në zgjedhjet e mbajtura më 28.12.2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si partia e parë me më së shumti vota do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.
Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend.
