Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Kosova ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ndërkombëtar të Orkestrave “Musica Orbis” në Pragë, duke u shpërblyer me medaljen e artë dhe katër çmime të rëndësishme.
Në këtë festival ndërkombëtar, ku morën pjesë orkestra nga vende të ndryshme të botës, “Amadeus” fitoi Çmimin e Parë dhe Medaljen e Artë, duke u vlerësuar për performancën dhe nivelin artistik.
Përveç çmimit kryesor, koncertmjeshtri i orkestrës, violinisti solist Elton Syla, u nderua me çmim special për interpretimin e tij, ndërsa violinisti Princ Fanaj mori çmimin special për violinistin më entuziast nga violinat e para.
Një tjetër vlerësim i veçantë ishte edhe Çmimi i Publikut dhe Adhuruesve, i cili iu nda Orkestrës “Amadeus” nga Kosova.
Ky sukses ndërkombëtar vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të të rinjve të orkestrës, të cilët po vazhdojnë ta prezantojnë Kosovën me dinjitet në skenat botërore.
Pas këtij triumfi qëndron edhe puna e madhe e ekipit drejtues, me dirigjentin Vehbi Shosholli, drejtoreshën Hana Petrovci, zëvendësdrejtoreshën Vanesa Petrovci Shabani, koordinatoren Arta Rexhepi dhe gjithë stafin e shkollës “Amadeus”.
Suksesi në Pragë është një tjetër dëshmi e talentit të të rinjve kosovarë dhe e rolit të artit në promovimin e vlerave të Kosovës jashtë vendit./A.K/
