UBT News

Orkestra “Amadeus” përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” do të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar “Musica Orbis Festivals 2026”, i cili mbahet në Pragë të Çekisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur drejtuesit e orkestrës, duke njoftuar se kjo paraqitje vjen pas një sërë sukseseve dhe vlerësimeve të marra në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë festivalit, Orkestra “Amadeus” do të marrë pjesë në koncertin e hapjes, koncertin gala, si dhe në garën ndërkombëtare të orkestrave, e cila konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme të këtij aktiviteti.

Përveç performancave, anëtarët e orkestrës do të kenë mundësi të marrin pjesë edhe në masterklasa me dirigjentë dhe anëtarë të jurisë së festivalit.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet të shtunën, më 11 korrik 2026, në orën 19:30, në “National House of Vinohrady” në Pragë.

Sipas drejtuesve të orkestrës, pjesëmarrja në këtë festival është rezultat i muajve të tërë punë, disipline dhe përkushtimi të të rinjve që përmes muzikës do të prezantojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Orkestra “Amadeus” ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë në Pragë dhe zonat përreth që t’i bashkohen koncerteve të tyre dhe të mbështesin këtë paraqitje të rëndësishme./A.K/

Exit mobile version