UBT News

Orkestra “Amadeus” hap me sukses festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.

Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.

Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/

Exit mobile version