Luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, e cila nisi një sulm të befasishëm të shtunën e javës së kaluar, janë të fundit në shtatë dekada luftimesh dhe të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve që ka tërhequr fuqitë e jashtme dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme.
Cila është origjina e konfliktit?
Konflikti vë në pah kërkesat izraelite për siguri në atë që prej kohësh e ka konsideruar si një rajon armiqësor kundër aspiratave palestineze për një shtet të tyre.
Themeluesi i Izraelit, David Ben-Gurion proklamoi shtetin modern të Izraelit më 14 maj të vitit 1948, duke krijuar një strehë të sigurt për hebrenjtë që ikën nga persekutimi dhe kërkuan shtëpi në tokën për të cilën ata thanë se ka lidhje të thella gjatë brezave.
Palestinezët ankohen për krijimin e Izraelit si Nakba, ose katastrofë, që rezultoi në shpronësimin e tyre dhe bllokoi ëndrrat e tyre për shtetësi.
Izraeli, një aleat i ngushtë i SHBA-së, kundërshton pohimin se i dëboi palestinezët nga shtëpitë e tyre dhe thekson se u sulmua nga pesë shtete arabe një ditë pas krijimit të tij. Për shkak të pakteve të armëpushimit, në vitin 1949 u ndalën luftimet, por nuk u arrit zyrtarisht paqja.
Cilat janë luftërat më të njohura që nga atëherë?
Në vitin 1967, Izraeli bëri një sulm parandalues kundër Egjiptit dhe Sirisë, në atë që njihet si luftë gjashtëditore. Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor Arab, të cilin e mori nga Jordania dhe Lartësitë Golan të Sirisë.
Në vitin 1973, Egjipti dhe Siria sulmuan pozicionet e Izraelit pranë kanalit të Suezit dhe Lartësitë Golan, duke nisur Luftën e Yom Kippurit. Izraeli ktheu prapa të dy ushtritë brenda tri javësh.
Izraeli pushtoi Libanin në vitin 1982 dhe mijëra luftëtarë palestinezë nën drejtimin e Jaser Arafatit u evakuuan nga deti pas një rrethimi dhjetëjavor. Lufta shpërtheu sërish në Liban në vitin 2006, kur militantët e Hezbollahut kapën dy ushtarë izraelitë dhe Izraeli u hakmor.
Në vitin 2005 Izraeli u largua nga Gaza, të cilën e kishte pushtuar nga Egjipti në vitin 1967. Por Gaza u përball me shpërthime të mëdha gjatë viteve 2006, 2008, 2012, 2014 dhe 2021, që ishin kryesisht sulme ajrore izraelite dhe me raketa palestineze, dhe ndonjëherë edhe inkursione ndërkufitare.
Përveç luftërave, pati edhe dy intifada ose kryengritje palestineze midis viteve 1987-1993 dhe sërish në vitet 2000-2005. Gjithashtu vendi u përball edhe me sulme vetëvrasëse të Hamasit kundër izraelitëve.
Çfarë përpjekjesh u bënë që atëherë për të arritur paqe?
Në vitin 1979, Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një traktat paqeje, duke i dhënë fund armiqësisë 30-vjeçare. Në vitin 1993, kryeministri izraelit Yitzhak Rabin dhe Arafat shtrënguan duart për Marrëveshjen e Oslos për autonominë e kufizuar palestineze. Në vitin 1994, Izraeli nënshkroi një traktat paqeje me Jordaninë.
As në samitin e Damp Davidit të vitit 2000, presidenti Bill Clinton, kryeministri izraelit, Ehud Barak, dhe Arafati nuk arritën marrëveshjen përfundimtare të paqes.
Në vitin 2002, plani arab i ofroi Izraelit lidhje normale me të gjitha vendet arabe në këmbim të një tërheqjeje të plotë nga tokat që mori në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, krijimin e një shteti palestinez dhe gjetjen e një “zgjidhje të drejtë” për refugjatët palestinezë.
Përpjekjet për paqe kanë ngecur që nga viti 2014, kur bisedimet dështuan mes izraelitëve dhe palestinezëve në Uashington.
Palestinezët më vonë bojkotuan marrëdhëniet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi ajo përmbysi politikën e SHBA-së me dekada duke refuzuar të miratojë zgjidhjen me dy shtete – formula e paqes që parashikon një shtet palestinez të krijuar në territorin që Izraeli pushtoi në vitin 1967.
Ku qëndrojnë tani përpjekjet për paqe?
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden është fokusuar në përpjekjen për të siguruar një “pazar të madh” në Lindjen e Mesme që përfshin normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, kujdestarit të dy faltoreve më të shenjta të Islamit.
Lufta e fundit është diplomatikisht e vështirë për Riadin, si dhe për shtetet e tjera arabe, përfshirë disa shtete arabe të Gjirit pranë Arabisë Saudite, që kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me Izraelin.
Cilat janë çështjet kryesore izraelito-palestineze?
Zgjidhja me dy shtete, vendbanimet izraelite, statusi i Jerusalemit dhe refugjatët janë në thelb të mosmarrëveshjes.
Zgjidhja me dy shtete: një marrëveshje që do të krijonte një shtet për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës së bashku me Izraelin. Hamasi kundërshton zgjidhjen me dy shtete dhe betohet se do ta shkatërrojë Izraelin. Izraeli ka thënë se një shtet palestinez duhet të çmilitarizohet në mënyrë që të mos e kërcënojë Izraelin.
Vendbanimet: Shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokën e pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 si të paligjshme. Izraeli e kundërshton këtë dhe përmend lidhjet historike dhe biblike me tokën. Zgjerimi i vazhdueshëm i tyre është ndër çështjet më të diskutueshme midis Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Jerusalemi: Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor, i cili përfshin vende të shenjta për myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre. Izraeli thotë se Jerusalemi duhet të mbetet kryeqyteti i tij “i pandashëm dhe i përjetshëm”. Pretendimi i Izraelit për pjesën lindore të Jerusalemit nuk njihet ndërkombëtarisht. Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit – pa specifikuar shtrirjen e juridiksionit të tij në këtë qytet të diskutueshëm – dhe e zhvendosi ambasadën e SHBA-së atje në vitin 2018.
Refugjatët: Sot rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë – kryesisht pasardhës të atyre që ikën në vitin 1948 – jetojnë në Jordani, Liban, Siri, Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe Gaza. Rreth gjysma e refugjatëve të regjistruar mbeten pa shtetësi, sipas ministrisë së jashtme palestineze, shumë prej të cilëve jetojnë në kampe të mbushura me njerëz.
Palestinezët kanë kërkuar prej kohësh që refugjatëve t’iu lejohet të kthehen, së bashku me miliona pasardhës të tyre. Izraeli thotë se çdo zhvendosje e refugjatëve palestinezë duhet të ndodhë jashtë kufijve të tij./UBTNews/