Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios thanë të shtunën se janë përpjekur të gjejnë zgjidhje për të inkurajuar atletet që kanë fëmijë të vegjël pasi një notare spanjolle në fillim të kësaj jave tha se për shkak të kufizimeve të Covid-19, është dashur ta lë në shtëpi vajzën e saj që e ushqen me gji.
Kufizimet kundër koronavirusit po zbatohen në kryeqytetin japonez, i cili po lufton kundër rasteve në rritje dhe pjesëmarrësit e Lojërave Olimpike po u nënshtrohen masave të rrepta për të minimizuar rrezikun e infeksionit dhe përhapjen e tij përtej, transmeton KultPlus.
“Sapo dëgjuam për këtë (nënat që nuk ishin në gjendje të udhëtonin me fëmijët e tyre) ne thamë le të gjejmë zgjidhje,” tha drejtori ekzekutiv i Lojërave Olimpike, Christophe Dubi në një konferencë shtypi.
Organizatorët kanë thënë se një zonë në fshatin Olimpik ishte në dispozicion për atletet që të kalojnë kohë me fëmijët e tyre dhe t’i ushqejnë me gji ata, por që këta të fundit duhet të qëndrojnë në strehim privat.
Kjo çështje mori vëmendje edhe më të madhe pasi notarja spanjolle, Ona Carbonell shprehu ankthin në një postim në Instagram ku tha se i është dashur të udhëtonte në Tokio pa burrin dhe djalin e saj, Kai, i cili është gati një vjeç. E gjithë kjo pasi sipas rregullave të udhëtimit para lojërave ata do të duhej të qëndronin në karantinë në një hotel të veçantë.
“Që unë të shkoj dhe ta ushqej me gji Kain sa herë që i duhet gjatë ditës unë do të duhet të largohem nga fshati Olimpik, nga ekipi dhe të shkoj në hotel, duke rrezikuar shëndetin e ekipit tim,” tha ajo.
Organizatorët tani u kanë dhënë mundësinë atletëve që të kenë fëmijët e tyre në Japoni. Sidoqoftë, ata nuk mund të qëndrojnë në fshatin Olimpik, thanë organizatorët, në mënyrë që të mbronin garuesit e tjerë nga rreziku i infeksioneve.
“Ne kemi diskutuar për të gjetur një ekuilibër midis ofrimit të mjedisit më të sigurt dhe dhe plotësimit të kërkesave speciale nga Komitetet Kombëtare Olimpike,” tha zëdhënësi i Lojërave të Tokios, Masa Takaya të shtunën./KultPlus