UBT News

Opozita thirrje që të lejohet tërheqja e Trustit, LVV nuk ndërron mendje: S’jemi populistë

Partitë opozitare sërish kanë apeluar Lëvizjen Vetëvendosje që të votojnë “pro” tërheqjes së mjeteve të Trustit. Por, sërish nga partia në pushtet kanë marrë një refuzim. Deputetja, Fitore Pacolli ka thënë se një vendim për tërheqje do të shkatërronte sistemin pensional.

Deputetët nesër do të bëjnë shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha sot se në mungesë të alternativave nga qeveria dhe përballë gjendjes së renduar sociale, tërheqja e një pjese të parave të Trustit është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me këtë gjendje.

Mundësia për të tërhequr një pjesë nga paratë e kursyera në këto rrethana, ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe veçmas ata të mazhorancës, që nesër ta votojnë projektligjin që mundëson një gjë të tillë. Kjo nuk është betejë politike por domosdoshmëri konkrete dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi të votohet pro tërheqjes. Ai tha se situata në Kosovë, në aspektin social, kurrë nuk ka qenë më e vështirë pasi çmimet janë ngritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta, përderisa ndihma e shtetit është më se minimale.

Kuvendi i Kosovës, në veçanti shumica parlamentare, e ka në dorë që nesër ta miratojë në lexim të parë Ligjin për Trustin, ligj ky i cili, sado pak do të zbuste vështirësitë për njerëzit në nevojë, kontributdhënësit në një situatë krize. Mos të filozofojmë shumë, por të veprohet me votën pro. Shpresoj që vota e mazhorancës, do të jetë pro këtij ligji”, tha Tahiri.

Por, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, tha se përpos se janë kundër për shkak të efektive negative që ka, po tregojnë se nuk janë as populistë siç zakonisht i akuzojnë partitë opozitare partinë në pushtet.

Ne po të ishim siç po na thonë populist do ta votonim sepse është një gjë që disa po kërkojnë, mirëpo ne po mendojmë për shtetin e Kosovës afatgjatë dhe ne mendojmë se nuk duhet ta prekim Trustin, qeveria ka marrë hapa që t’iu ndihmojë familjeve në nevojë të jetë afër atyre të cilët kanë nevojë për mbështetje dhe në të njëjtën kohë të shikojmë se si mund të krijojmë vende të reja të punës, që të punësojmë të rinjtë tanë prekja e Trust-it nënkupton prekjen e stabilitetit financiar të shtetit tonë dhe këtë nuk guxojmë ta bëjmë, në këtë situatë është mirë ta përmendim se një numër i madh i qytetarëve nuk kanë Trust fare, prandaj ne synojmë dhe parimet tona janë që t’i ndihmojmë atyre që nuk kanë ndërsa ata që kanë mund t’ia dalin vetë”, tha Pacolli.

Deputetja e VV-së mendon se ata që po e kërkojnë më shumë tërheqjen e Trustit janë ata që kanë kursime më të mëdha dhe, nëse sipas saj vazhdon kjo mendësi për tërheqjen e mjeteve të kursimeve, do ta dëmtohet shteti në vazhdimësi.

Ata që kanë më shumë mjete janë duke bërë më shumë presion që të marrin Trustin sepse kanë përqindje më të lartë të Trustit ndërsa qytetarët të cilët janë në gjendje më të vështirë ekonomike, të cilët kanë pak para, mund ta mendojnë se tërheqja e asaj shume të vogël të Trustit që do t’ju ndihmojë mirëpo, kjo krijon vetëm pritje dhe nuk e nxjerr nga kriza këtë qytetar. Ne po mendojmë që është në interesin e shtetit të Kosovës që ta ndërtojmë një sistem financiar të qëndrueshëm i cili në të ardhmen nuk frikësohemi të kemi probleme financiare sepse kur shtetet hyjnë në prekjen e stabilitetit financiar dhe kanë cikle të cilat janë të shpeshta dhe përsëriten ato, nuk është e shëndetshme për shtetin” ka deklaruar Pacolli.

Seanca për shqyrtimin e parë për ndryshimet ligjore që lejojnë tërheqjen e mjeteve të Trustit në lartësinë prej 30% mbahet nesër prej orës 11:00, ndërsa është pika e 8 në rendin e ditës.

Exit mobile version