UBT News

Opinion: Rikthim në vitet e ’90-ta në Afganistan

Nga Waslat Hasrat-Nazimi

Mijëra shikues kureshtarë në një stadium futbolli i mbuluar nga pluhuri, u mblodhën rreth një gruaje. E veshur me një burkë blu, ajo përkulet në tokë. Një burrë i drejton asaj një pushkë kallashnikov – dhe tërheq këmbëzën.

Ky ishte ekzekutimi publik që ndodhi në vitet 1990 kur talibanët morën për herë të parë pushtetin në Afganistan. Të gjithë afganët janë të familjarizuar me imazhe të tilla, duke qenë dëshmitarë të një ekzekutimi me sytë e tyre ose përmes televizorit.

Ekzekutimet publike janë disa nga kujtimet më të këqija që kam nga ajo kohë kur isha ende fëmijë. Unë dhe familja ime e ndoqëm se çfarë po ndodhte nga jashtë, duke i parë ato pak video që qarkulluan në ekrane televizive.

Traumë kolektive

Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që imazhe të tilla mund të rikthehen. Por situata ka dalë ndryshe nga sa e imagjinoja.

Qëkur talibanët u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, unë kam qenë edhe më e shqetësuar për atdheun tim. Këtë javë, talibanët e ekzekutuan një burrë që akuzohej për vrasje. Para publikut, ekzekutimi u krye nga babai i viktimës së vrarë. Në mesin e të pranishmëve ishin talibanë të rangut të lartë, qindra banorë, e në mesin e tyre edhe fëmijë.

Kjo ka tejkaluar frikën time më të keqe: Nëse ekzekutimet publike – të cilat tashmë kishin shkaktuar një traumë kolektive në popullatën e Afganistanit – u kthyen në atë kohë (vitet e ’90-ta), pavarësisht nga garancitë e tyre për të kundërtën, talibanët nuk kanë ndryshuar.

Javët e fundit, ka pasur edhe rrahje publike të burrave dhe grave, të akuzuar kryesisht për vjedhje ose tradhti bashkëshortore. Vitet ’90 janë kthyer në Afganistan.

Dëshpërim dhe vuajtje

Ndonëse në fillim mendohej se errësira e plotë nuk do ta kaplonte vendin, tani është e qartë se s’ka vend më të errët sesa Afganistani.

Sipas një sondazhi të publikuar së fundmi nga Gallup, 97% e meshkujve dhe 98% e femrave e barazojnë jetën e tyre me vuajtjen. Shkalla e vetëvrasjeve te gratë është rritur.

Është vështirë e pranueshme që në vitin 2022 – 74 vjet pas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut – këto të drejta po shkelen kaq mizorisht në Afganistan. Ndërsa bota është kaq pasive.

Duket sikur 20 vitet e fundit, gjatë të cilave pikërisht këto të drejta u mbajtën si arsye për operacionin ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), thjesht të jenë avulluar. Sikur Afganistani të jetë në një planet tjetër dhe Perëndimi nuk ka asnjë bashkëpërgjegjësi për mjerimin.

Presioni mbi talibanët

Por a nuk janë të drejtat e njeriut universale dhe të zbatueshme kudo? Talibanët i bazojnë politikat e tyre në një interpretim arkaik të Islamit. Por edhe vendet islamike kontribuan në draftin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut pas Luftës së Dytë Botërore.

Dhe edhe sikur të mos kishte qenë kështu – alternativa myslimane, Deklarata e Kajros për të Drejtat e Njeriut në Islam, gjithashtu nuk e justifikon padrejtësinë që ndodh çdo ditë në Afganistan. Miratuar nga Organizata e Shteteve Islamike më 5 gusht të vitit 1990, ajo u nënshkrua nga 45 ministra të jashtëm në atë kohë.

Si mbrojtës të të drejtave të njeriut, është detyra jonë të tërheqim vëmendjen ndaj vuajtjeve të grave dhe burrave në Afganistan dhe të ushtrojmë presion mbi regjimin taliban. Nuk mund të përballem sërish me imazhe të rrahjeve dhe ekzekutimeve që shfaqen në ekran, që më bëjnë të ngrihem – njësoj siç bënë 25 vjet më parë.

Kjo më çon në përfundimin e hidhur se nëse nuk bëjmë ose nuk mund të bëjmë gjithçka për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, do të duhet të kemi parasysh se deklarata e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Paris, 74 vjet më parë, ka dështuar.

(Përktheu dhe përshtati UBTNews)

Exit mobile version