UBT News

Operacioni “Heshtja”: Goditet grupi kriminal i kokainës në Prishtinë, arrestohen 6 persona dhe sekuestrohen mbi 300 mijë euro drogë e asete

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka goditur një grup të organizuar kriminal që dyshohet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Operacioni i gjerë policor, i koduar “Heshtja”, është realizuar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, pas një hetimi të gjatë të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore.

Sipas Policisë, hetimet kanë zbardhur funksionimin e këtij grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, duke nisur nga personat e dyshuar në nivel drejtues e deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë. Gjatë aksionit antidrogë – të asistuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, patrullat policore të kryeqytetit, Njësia e Forenzikës dhe Njësia K9 – janë bastisur disa lokacione, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Në cilësi të provave materiale, gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar: Rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera të dyshuara të marihuanës, një substancë e panjohur dhe tableta të dyshuara të ekstazisë; Rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme (euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë); Gjashtë vetura të markave luksoze dhe të ndryshme, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan; Ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, si dhe stoli të çmuara; Një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve; Telefona mobilë, pajisje elektronike, të komunikimit dhe të vëzhgimit, si dhe dokumente e shënime të ndryshme.

Bazuar në çmimin e tregut të rrugës, vetëm sasia e kokainës së sekuestruar vlerësohet rreth 111 mijë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë. Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe goditjen e grupeve kriminale në të gjitha nivelet, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. /E.A/

 

Exit mobile version