Në kuadër të një operacioni të koduar “Dosja 23”, Policia e Kosovës ka arrestuar të dielën nëntë persona në komunën e Zubin Potokut, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Të dyshuarit e ndaluar nga ky aksion janë personat me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. Operacioni është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur edhe nga njësi të tjera të Policisë së Kosovës, të cilat kanë ekzekutuar urdhër-kontrollet në disa lokacione të ndryshme në territorin e Zubin Potokut.
Gjatë realizimit të bastisjeve, zyrtarët policorë kanë sekuestruar si prova materiale rreth 23,000 euro dhe rreth 60,000 dinarë serbë para të gatshme, një armë të gjatë, një pushkë gjuetie, katër predha, si dhe fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe të pushkës së gjuetisë. Po ashtu, janë konfiskuar dy libreza ushtarake, nëntë telefona celularë dhe prova e materiale të tjera relevante që ndërlidhen me rastin.
Përmes kësaj komunikate të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë riafirmuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre të plotë në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë. /E.A/
