UBT News

Operacioni “Bixhozi” në Prizren, Suharekë e Dragash: 22 të arrestuar dhe mijëra euro e armë të sekuestruara

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë realizuar një operacion të madh hetimor të koduar “Bixhozi”, i cili ka çuar në arrestimin e 22 personave të dyshuar për organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit të kundërligjshme.

Operacioni është zhvilluar gjatë mbrëmjes së 4 nëntorit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, me mbështetjen e njësive të tjera policore, pas një pune të gjatë operative-hetimore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Në kuadër të këtij plani operativ janë kontrolluar 20 lokacione të ndryshme (lokale afariste dhe shtëpi banimi) në tri komuna të rajonit: Prizren, Suharekë dhe Dragash.

Gjatë kontrolleve, zyrtarët policorë kanë konfiskuar prova të rëndësishme materiale, ndër to:

  • Rreth 10 mijë euro para të gatshme;
  • Pajisje elektronike të ndryshme që shërbenin për bixhoz online;
  • Katër armë zjarri dhe municion përkatës.

Pas intervistimit të të dyshuarve në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit të kujdestar, 19 prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa 3 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre të plotë për parandalimin dhe luftimin e veprave penale që lidhen me bixhozin e paligjshëm dhe skemat piramidale në gjithë territorin e vendit. /E.A/

 

Exit mobile version