UBT News

Operacion ndërkombëtar: Sekuestrohen asete në vlerë prej 1 milion eurosh në Prishtinë për pastrim parash

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale, ka realizuar një operacion të gjerë në Prishtinë, ku janë konfiskuar asete në vlerë prej rreth një milion eurosh. Ky aksion është ndërmarrë në kuadër të një hetimi të madh ndërkombëtar që ndërlidhet me një rrjet të pastrimit të parave të cilat rridhnin nga trafikimi i drogës.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një hetim mbi pastrimin transnacional të të ardhurave të nxjerra nga aktivitete kriminale. Ky operacion është realizuar fillimisht nga autoritetet italiane dhe franceze, i koordinuar nga agjencitë evropiane Europol dhe Eurojust, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës.

Lidhur me detajet e këtij aksioni, vlerën e saktë të pronave dhe parave të sekuestruara, si dhe për personat e përfshirë, autoritetet kanë paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për media, e cila do të mbahet sot në orën 14:30. /E.A/

Exit mobile version