Policia kroate dhe Zyra Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nisur një aksion të gjerë të enjten për të luftuar trafikimin ndërkombëtar të drogës. Operacioni ka përfshirë një numër të madh lokacionesh në Kroaci dhe ka rezultuar në arrestimin e disa personave të dyshuar, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në një rrjet të madh ndërkombëtar drogash.
Sipas raportimeve të gazetës “Jutarnji”, të dyshuarit akuzohen për kontrabandimin e tonelatave drogë për vite me radhë dhe janë të lidhur me disa operacione ndërkombëtare që kanë çuar në sekuestrimin e sasive të mëdha drogu në disa shtete të botës. Disa prej të dyshuarve janë tashmë të burgosur në Kroaci dhe në vende të tjera, si pjesë e këtij rrjeti global të krimit.
Ky aksion i madh është zhvilluar në kuadër të një hetimi të gjerë mbi strukturën ndërkombëtare të trafikimit të drogës, ku të dyshuarit janë të lidhur ngushtësisht me një pjesë të kartelit të drogës që operon në Ballkanin Perëndimor. Shtetasit kroatë janë ata që kryesojnë këtë grup, i cili ka arritur të krijojë lidhje me trafikantë dhe grupe të krimit të organizuar nëpër botë.
Për shkak të rrezikut të mundshëm që ky operacion mund të përfshijë individë të armatosur dhe të dhunshëm, janë angazhuar edhe forcat speciale. Rreth 250 oficerë të policisë po marrin pjesë në operacion, duke përfshirë edhe ekipe të specializuara për ndërhyrje të shpejtë dhe siguri. Ky aksion synon të shkatërrojë rrjetin e trafikut të drogës dhe të çojë përpara drejtësisë ata që janë të përfshirë në këtë krim të rëndë ndërkombëtar./UBTNews/