UBT News

Opera e Kosovës me koncert përkujtimor për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Screenshot

Koncerti i mbajtur më 6 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë solli një mbrëmje solemne në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një ngjarje të tillë përmbyllëse të tri ditëve të Epopesë së UÇK-së, jehona e ritmeve dhe vargjeve shqipe u bë shënim madhështor i 28-vjetorit të kësaj ngjarjeje të lavdishme historike. Imazhi me instrumentistë dhe këngëtarë, kryesisht të rinj, të angazhuar nga Opera e Kosovës, projektoi krenari dhe përkushtim artistik, por njëkohësisht rikujtoi edhe realitetin se, për gati tri dekada, hapësirat e skenës së muzikës klasike në vend kanë mbetur në gjendje jo të denjë për zhvillimin e këtij arti.
Një ditë pas mbrëmjes së kombinuar mes koncertit dhe akademisë përkujtimore, të shtunën në mbrëmje në Sallën e Kuqe u mbajt koncerti ku fokusi ishte në veprat për dy piano, kor dhe orkestër. Pothuajse i gjithë programi u prezantua në premierë, i punuar posaçërisht për këtë formacion, gjë që përbënte një risi të veçantë të Operës së Kosovës për publikun. Kjo i dha ngjarjes një dimension të veçantë artistik dhe një freski interpretative në repertorin e prezantuar.
Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, interpretuan një program të përzgjedhur me vepra të kompozitorëve Drinor Zymberi, Vasil Tole, Valton Beqiri, Feim Ibrahimi dhe Avni Mula. Në këtë mbrëmje u paraqitën edhe pianistet Elizabeta Qarri dhe Artemida Qarri, të cilat sollën një interpretim të ndjerë dhe profesional në veprat për dy piano.
Ndërkaq, edhe mbrëmja e 7 marsit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë solli një përjetim të veçantë artistik me Orkestrën dhe Korin e Operës së Kosovës, nën dirigjimin e Prof. asoc. Edon Ramadanit, si dhe me interpretimin në piano të Elizabeta Qarrit dhe Artemida Qarrit. Publiku, i cili mbushi sallën plot, pati rastin të përjetojë një program të pasur me emocione muzikore, interpretim të rafinuar dhe energjinë e veçantë që krijohet kur arti dhe publiku takohen në të njëjtën hapësirë.

Exit mobile version