Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar sakrificën e familjes Jashari, duke e cilësuar marsin si muajin që ndryshoi përgjithmonë fatin e popullit të Kosovës. Sipas saj, ngjarjet e vitit 1998 në Prekaz ishin pika ku liria triumfoi mbi frikën.
“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë,” u shpreh Presidentja, duke shtuar se pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars, në zemër të Prekazit, historia mori një rrugë të re.
Gjatë fjalimit të saj, Osmani vuri theksin te figura e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij u bënë simbol i pathyeshmërisë. Ajo theksoi se zgjedhja e tyre ishte e qartë: “Ata zgjodhën sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës e mbi të gjitha, ata zgjodhën nderin para jetës.”
Sipas Presidentes, tri ditët e Epopesë nuk ishin thjesht një betejë, por një akt ringjalljeje kombëtare që bëri jehonë në mbarë globin.
“Krisa e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën e mbarë kombin, e po ashtu zgjoi ndërgjegjen e gjithë botës,” deklaroi ajo.
Në mbyllje, Osmani kujtoi se liria që gëzojmë sot i ka rrënjët te 58 martirët e kësaj familjeje, të cilët u shndërruan në dritë për popullin. Ajo porositi se kullat e Jasharëve do të mbeten përjetësisht “flamuri i lirisë sonë”, para të cilit institucionet dhe qytetarët do të përkulen gjithmonë me nderim.
