UBT News

Olimpistja e parë femër në Afganistan thotë se gratë s’do të heqin dorë nga të drejtat e tyre

Fiba Rezayee shënoi histori në vitin 2004, kur u bë një nga dy femrat e para afgane që garuan në Lojërat Olimpike. Kur xhudistja garoi në Athinë, për babanë dhe vëllezerit e saj dukej sikurse ta kishte bërë “hapin e parë në hënë”.

Nuk ishte vetëm një moment i rëndësishëm për të, por moment kthese për të gjitha femrat në Afganistan. Ajo ishte simbol i shoqërisë, shoqëri kjo që edhe pse ishte larg nga e përsosura, dukej se po ndryshonte.

Femrat kishin më shumë mundësi dhe e shihnin ndryshe të ardhmen pas regjimit të talibanëve (pas viteve 1990), meqë atë kohë atyre u mohoheshin shumë të drejta. Por tani talibanët janë kthyer në Afganistan dhe Rezaye ka frikë se përparimi që është bërë për jetën e grave gjatë 20 viteve të fundit do të shuhet. Ajo mendon se e ardhmja do të jetë e zymtë për gratë.

E lindur dhe e rritur në Afganistan, Rezayee u zhvendos në Kanada si refugjate në vitin 2011, dhe që nga ajo kohë drejton një organizatë joqeveritare, “Women Leaders of Tomorrow”, përmes së cilës avokon për të drejtat e grave në Afganistan. Edhe iniciativa GOAL (Girls of Afghanistan Lead) mbështet xhudistet femra për ta përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare.

Tash pas rikthimit të talibanëve, Rezayee thotë se grate me të cilat punon frikësohen për jetët e tyre.

“Jam në kontakt me to çdo ditë. Më dërgojnë mesazhe emocionuese. Kohët e fundit, atletet femra afgane vizituan palestrën e stërvitjes së xhudos. Ia mbajtën duart njëra-tjetrës. U përqafuan me njëra-tjetrën. Madje u përshëndetën edhe me sallën, sepse ishte hera e fundit që ato do ta shihnin dhe kjo ishte e fundit ditë e lirisë së tyre”, deklaroi ajo mes tjerash.

Rezayee njoftoi se shumica e atyre grave dëshirojnë të largohen nga Afganistani.

Rezayee foli edhe për kohën kur filloi të merrej me xhudo (pas regjimit të talibanëve), duke thënë se jo të gjithë ishin të gatshëm t’i pranonin këto të drejta të grave. Kur ajo filloi të merret me xhudo, thotë se pranonte kërcënime me vdekje dhe trajneri i saj përfundimisht tha se ishte shumë e rrezikshme për të vazhduar stërvitjen. Ai e vendosi atë në kontakt me një trajner tjetër, i cili e prezantoi atë me xhudo.

Me ndihmën e një organizate bamirësie, nga dashuria e madhe për disiplinën e arteve marciale, ajo u stërvit së bashku me dy vajza të tjera – gratë e vetme në të gjithë Afganistanin që konkuruan në xhudo.

“Ishte moment historik për ne. Ishte e rrezikshme sepse shoqëria nuk ishte e gatshme t’i shoh femrat atlete atë kohë, meqë po dilnim nga regjimi i errët i talibanëve. Ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, por unë doja shumë të stërvitesha. Nuk më interesonte për stigmën dhe as për atë që mendonin familja dhe shoqëria”, deklaroi Rezayee.

Tani ajo është e frikësuar se çfarë mund të bëjë ky regjim. Pavarësisht kaosit dhe traumave, Rezayee ende ka shpresë. Shpresa thotë ajo, është diçka që talibanët s’mund ta marrin kurrë nga gratë afgane.

“Mesazhi im është, qëndroni të forta. Është ankth, por ato nuk zgjasin shumë. Ne do ia dalim. Ne do të bëhemi grup i rezistencës. Ne do të luftojmë për të drejtat tona, pavarësisht çdo gjëje. Njëherë i kemi humbur të drejtat tona në vitet 1990 – nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë prapë. Besoj në paqe. Paqja, prosperiteti dhe të drejtat e njeriut do të mbizotërojnë. Çdokush po vdes për paqe”, deklaroi ajo./UBTNews

Exit mobile version