Olimpistja australiane Riley Day shkoi në “Tokyo 2020” duke mos pasë asnjë sponsor të madh për t’ia mbuluar pagat e trajnerëve dhe shpenzimet e tjera që të gjithë atletët i kanë kur duan që të garojnë.
Ajo punoi në Woolworths për tre vjet, derisa ruajti krejt pagat e saj për ta financuar kampanjën në Lojërat Olimpike.
Atletja Riley Day e theu rekordin e saj personal dhe tani rezultati i saj më i mirë personal është 22.56 sekonda.
Ajo nuk mundi ta përmbajë veten pas garës derisa po jepte një intervistë për Channel 7.
“Ishte një garë shumë më e mirë sesa këtë mëngjes. Shpresoj se ky ishte vrapimi më i shpejtë në mënyrë që unë të mund të jem në finale. Kjo është e mrekullueshme”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.
Atletja, që besohet se do të jetë shumë e suksesshme në të ardhmen, tani është numri tetë në Australi, por thotë se është akoma duke u përpjekur që të jetë numri një.
“Unë dua të jem më e mira dhe do të ndalem vetëm kur të jem më e mira”, deklaroi ajo.
Vendi i saj i punës, marketi ku ajo ka punuar, ka postuar një mesazh për ish-punëtoren e tyre që ishte pjesë e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” duke thënë se janë krenarë me të.