Shfrytëzimi i shfrenuar i natyrës është një kërcënim për miliarda njerëz anembanë botës që mbështeten te speciet e egra për ushqim, energji dhe të ardhura, sipas një raporti të ri nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara për biodiversitetin e publikuar të premten.
Nga peshkimi dhe prerja e druve te përdorimi i bimëve të egra në ilaçe dhe parfume, shoqëritë në mbarë planetin varen thellësisht nga speciet që nuk janë zbutur apo kultivuar, me tregti vjetore globale legale dhe të paligjshme në qindra miliarda dollarë.
Por ndërsa njerëzit po nxisin humbje alarmante të biodiversitetit – dhe ndryshimi i klimës kërcënon të përshpejtojë shkatërrimin – paneli këshillues shkencor i OKB-së për biodiversitetin, i njohur si IPBES, bëri thirrje për “ndryshime transformuese” në marrëdhëniet tona me speciet e egra.
“Miliarda njerëz në të gjitha rajonet e botës mbështeten dhe përfitojnë nga përdorimi i specieve të egra për ushqim, mjekësi, energji, të ardhura dhe shumë qëllime të tjera“, tha paneli.
Raporti, për të cilin u deshën katër vjet për t’u përgatitur dhe është shkruar nga 85 ekspertë nga fusha të ndryshme të specializuara, vjen ndërsa OKB-ja drejton një proces vendimtar ndërkombëtar për të përcaktuar një kornizë për mbrojtjen e natyrës në dekadat e ardhshme.
IPBES, e cila ka paralajmëruar më parë se një milion specie janë në rrezik zhdukjeje, tha se promovimi i qëndrueshmërisë dhe ndalimi i mbishfrytëzimit ishte “kritik për të ndryshuar trendin global në rënien e biodiversitetit”.
Raporti njeh rolin themelor që luajnë këto kafshë dhe bimë në jetën e njerëzve dhe në veçanti rolin vendimtar të komuniteteve indigjene në mbrojtjen e natyrës.
Ushqimi dhe karburanti
Në përgjithësi, 50,000 specie përdoren për ushqim, energji, mjekësi, materiale dhe qëllime të tjera në mbarë botën, thuhet në raport, me më shumë se 10,000 lloje të ndryshme të korrura për konsum njerëzor.
Bimët e egra, algat dhe kërpudhat sigurojnë ushqim dhe të ardhura për një në pesë njerëz në mbarë botën, thuhet në raport, ndërsa rreth 2.4 miliardë njerëz mbështeten te druri për gatim.
Rreth 70 për qind e të varfërve në botë varen drejtpërdrejt nga speciet e egra dhe bizneset e lidhura me to, thuhet në raport.
Por nuk janë vetëm komunitetet rurale në vendet në zhvillim që i përdorin këto specie.
“Banorët e qyteteve në vendet e pasura mund të mos e vënë re, por bimët e egra përdoren në ilaçe ose kozmetikë, ju hani peshk të egër dhe ka shumë mundësi që mobiljet tuaja të vijnë nga pemë të egra”, tha Fromentin.
Pemët e egra përbëjnë dy të tretat e drurit industrial global, ndërsa tregtia me bimë të egra, algat dhe kërpudhat është një industri miliarda dollarëshe.
Një çështje kryesore është tregtia e paligjshme e specieve të egra, që vlerësohet të jetë midis 69 miliardë dhe 199 miliardë dollarë në vit, për të cilën IPBES tha se ishte tregu i tretë i paligjshëm më i madh pas trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës.
Ndërsa kjo synon kryesisht pemët dhe peshqit, raporti tha se edhe tregtia në shkallë më të vogël të kafshëve dhe bimëve më të rralla, si orkidetë, mund të ketë efekte shkatërruese, duke paralajmëruar se shpesh i shtyn speciet përtej kufijve të tyre./UBTNews/