Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka hedhur poshtë spekulimet që lidhin Armando Brojën me një largim nga “Stamford Bridge”, dhe pret që sulmuesi të qëndrojë në klub këtë verë.
20-vjeçari shqiptar ka rënë nën radarin e shumë klubeve evropiane, pasi bëri përshtypje sa ishte i huazuar te Southamptoni sezonin e kaluar, duke shënuar nëntë gola në 38 paraqitje në të gjitha garat.
West Ham besohet të jetë skuadra që po e kryeson garën për nënshkrimin e Brojës, ku raportohet se është afër marrëveshjes me Chelsean për të marrë sulmuesin në huazim, me një opsion për ta bërë transferimin e tij permanent.
Sipas raportimeve të fundit, West Ham besohet se ka bërë një ofertë në regjionin e 35 milionë eurove, por pavarësisht kësaj, Tuchel ka bërë të qartë se synimi i tij do të jetë ta integrojë yllin shqiptar në formacionin e tij startues.
“Nuk pres që Broja të largohet. Jam i vetëdijshëm për ofertat dhe interesimin në të. Ne do të marrim një vendim së bashku, pronari, unë dhe lojtari. Kur u rikthye ishte e qartë se ai po përpiqej të lë përshtypje dhe të bëhej lojtar i Chelseat”, tha Tuchel.
“Pas huazimit të tij te Southamptoni është e qartë që ai dëshiron të bëjë hapin e radhës. Fatkeqësisht, ai u lëndua dhe tani ka shumë interesim në të. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. Ai ka një kontratë këtu”, shtoi më tej trajneri i Chelseat.
Pavarësisht qëndrimit aktual të Chelseat ndaj Brojës, besohet se West Hamit do t’i bashkohen skuadrat si Napoli, Everton, Newcastle United dhe Southampton në garën për nënshkrimin e sulmuesit shqiptar.