Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Zejtare e Kroacisë, sot kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, ku theks i veçantë do t’i jepet shkëmbimit të përvojave rreth zhvillimit dhe zbatimit të mësimit dual në Kosovë.
Kroacia si vend mik i Kosovës tanimë implementon mësimin dual sipas modelit kroat dhe këtë përvojë do e zbatojnë edhe në Kosovë së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës.
“Oda Zejtare e Kroacisë shpreh gadishmërinë e vet, që gjithë përvojën e vet në zbatimin e mësimit dual ta shkëmbejë me kolegët e Odës Ekonomike të Kosovës. Mësimi dual është majft sfidues, mirëpo me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomisë së një vendi”, ka thënë Dalibor Kratovil.
Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka deklaruar se arsimi dhe aftësimi profesional ka një rëndësi të veçantë në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe për këtë arsye Oda Ekonomike e Kosovës do t`i kushtojë vemendje të veçantë aktiviteteve në zhvillimin dhe zbatimin e mësimit dual në Kosovë.
Gjithashtu bazuar në Udhëzimin Administrativ për Mësimin në vendin e punës, Oda Ekonomike e Kosovës, siç është bërë e ditur në komunikatë, do të merret edhe me menaxhimin e të dhënave dhe përfshirjen e bizneseve në mësimin në vendin e punës në Kosovë.
Oda Zejtare e Kroacisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojnë me takimet bilaterale për të përcaktuar hapat e veprimit të metutjeshëm drejt realizimit të mësimit dual në Kosovë.