Ylli i Arsenalit, Martin Odegaard, ka mohuar fjalët se Arsenali ndjen ndonjë presion në garën për titull, duke këmbëngulur se ata nuk brengosen fare për atë që bën Manchester City.
“Topçinjtë” kanë pesë pikë më shumë se City në krye të tabelës falë një fitoreje dramatike 3-2 kundër Manchester United. Ishte një fitore që erdhi vetëm pak orë pasi City kishte zvogëluar diferencën në vetëm dy pikë pas fitores 3-0 ndaj Wolves në “Etihad Stadium”.
Por Odegaard ishte i bindur se fitorja e Cityt nuk kishte ndikim te Arsenali përpara ndeshjes së tyre me United dhe këmbëngul se ai dhe shokët e skuadrës po i kushtojnë pak vëmendje asaj që po bën skuadra e Pep Guardiolës.
“Sinqerisht, ne nuk na intereson City apo ndonjë ekip tjetër”, tha kapiteni i “Topçinjve”. “Ne prisnim që ata të fitonin, kështu që nuk ishte një surprizë e madhe. Ne thjesht u fokusuam në lojën tonë, për të ardhur këtu dhe për të fituar dhe këtë bëmë. Mënyra se si e fituam këtë lojë na jep një ndjenjë të veçantë që do të na ndihmojë shumë në vazhdim”, shtoi ai.
Fitorja e Arsenalit ndaj United e çoi skuadrën e Artetas në kuotën e 50 pikëve në gjysmë të ligës, diçka që asnjë skuadër tjetër në historinë e klubeve nuk ka arritur ta bëjë. Ata janë tani 11 pikë larg nga vendi i tretë, por Odegaard beson se është shumë herët për t’u shpallur si kandidatët më të fortë në luftën për titull.
“Është një sezon i gjatë. Jemi vetëm në gjysmë të rrugës”, theksoi ai. “Ka shumë ndeshje për të luajtur, ndaj duhet të qëndrojmë të qetë dhe të përulur. Është shumë herët për të menduar për këtë tani. Duhet të qëndrojmë në moment dhe të gjithë duhet ta shijojnë momentin. Po ecim shumë mirë, por është një rrugë e gjatë për të bërë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi”, tha Odegaard në fund.
Arsenali udhëton në “Etihad” të premten mbrëma në raundin e katërt të FA Cup.