Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që duke u bazuar në nevojën e bizneseve për veprim të shpejtë për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike, të arrijnë konsensusin e nevojshëm që do të mundësonte krijimin e legjislacionit përkatës për zbatimin e këtyre masave”, thuhet në njoftim.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë kërkuar nga deputetët që në seancën e sotme të aprovojnë në lexim të parë projektligjin e proceduar nga ekzekutivi, duke hapur mundësinë e plotësimit të mëtejmë të tij deri në leximin përfundimtar.
“Veprimi i shpejtë i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID19, si dhe përmbajtja e thellimit të vështirësive ekonomiko-sociale, në një kohë kur vendet e tjera janë shumë para Republikës së Kosovës në aspekt të ndërhyrjes shtetërore me qëllim të drejtimit dhe zbatimit të programeve të rimëkëmbjes ekonomike. Në të kundërtën, situata ekonomike dhe sociale do të vijojë të bëhet edhe me e rëndë”,thuhet më tej.