UBT News

“Oda mikpritëse e gjyshes”, Shkodra Elektronike parakalon me kostumografinë e veçantë në tapetin e Bazelit

Në Bazel të Zvicrës ka nisur ceremonia e hapjes së Eurovision 2025 dhe parada në tapetin e bruztë, një nga momentet më të shumëpritura të këtij aktiviteti.

Ndër parakalimet më të spikatura ka qenë ai i grupit “Shkodra Elektronike”. Beatriçe Gjergji e veshur me një fustan të punuar me dorë nga nëna e saj, Irina Dema, solli në vëmendje trashëgiminë shqiptare përmes paraqitjes së saj krejt të veçantë.

Beatriçe Gjergji solli elemente të bukura, simbole të traditës së vjetër shqiptare, përfshirë dhe sende personale, ruajtur me fanatizëm nga të parët e familjes së saj.

“Oda mikpritëse e gjyshes”, këtë tematikë sjell kostumografia e prezantuar në Bazel, ku veç fustanit tërhoqi vëmendjen edhe çanta që Beatriçe mbante ndër duar: një kuti ku gjyshja e saj mbante një herë e një kohë të gjitha bizhuteritë e saj.

Në zemër të qytetit zvicerian është hapur edhe Eurovision Village, që do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 17 maj, me aktivitete, muzikë live dhe transmetime direkte nga skena kryesore.

Ngjarja më e madhe e muzikës europiane po afron me natën e parë që do të jetë nesër më 13 maj ndërsa Shqipëria do të performojë e 12-ta në radhë./ATSH/

Exit mobile version