Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë thirrje sërish që të pezullohet deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë.
Rafuna thotë se ka shumë pasiguri te bizneset dhe se nuk janë kundër daljes në treg të lirë të energjisë, por thotë se tregu nuk është i përgatitur ende për këtë. Ai ka shtuar se bizneset ende nuk i kanë marrë faturat për dy muaj sa janë furnizuar nga furnizuesi i fundit KEK-u.
“Asnjë biznes ende s’ka pranuar faturën e KEK-ut. Na është thënë se KEDS-i i lëshon pasi i shikon orët. KEDS ende nuk i ka lëshuar. Është gjuajtje ZRRE me KEDS derisa gjejnë rrugën, mënyrën e kalkulimit. Ka lloj-lloj kalkulimi. Është çmimi i rrymës që blihet, transmisionit, marzhës, shpenzime administrative etj. Kjo është ajo që kemi thënë nga fillimi. Duhet të përgatitet tregu. Nuk është përgatitur as në kuptim të furnizuesve”, ka thënë Rafuna.
Ai ka potencuar se shumë biznese janë detyruar të lidhin kontrata, pasi ZRRE-ja ka njoftuar se nga 1 gushti bizneset që plotësojnë kushtet për të kaluar në treg të hapur e që s’kanë lidhur marrëveshje do të shkëputen nga rrjeti energjetik.
Rafuna ka thënë se është shqetësuese pasi po goditet prodhimi dhe se për të shtyrë vendimin deri më 1 shkurt, ZRRE-ja ka thënë se duhet subvencionuar 50 milionë euro.
Kreu i Odës Ekonomike ka treguar se në takim që kishin pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, para 1 qershorit, ai u kishte thënë biznese se është me to. Ai ka treguar se bizneset kishin dëshmuar se si dëmtohen dhe se ka monopol.