Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës i është drejtuar me letër të hapur institucioneve të Kosovës.
Në letrën e hapur drejtuar Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit, OHTK ka kërkuar që sa më parë të hiqen kufizimet. Po ashtu, OHTK kërkon nga institucionet të jenë të kujdesshëm në shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
“Sa më parë që është e mundur të hiqen kufizimet sepse nuk ka dëshmi që kjo fushë e veprimtarisë është vatër e infeksionit me COVID-19. Të jeni të kujdesshëm në shpërndarjen e mjeteve nga ligji për rimëkëmbjen ekonomike, mjetet të shkojnë në veprimtaritë më të atakuara siç është hoteleria dhe turizmi. Pas stopimit të kredive nga ana e Qeverisë, kërkojmë që pas fillimit të pagesave të hiqet interesi bankar që nga fillimi i periudhës së pandemisë. Të bëhet urgjentisht lirimi i masave për festat e fundvitit, për arsye që mos të bëhet zbrazja e qytetarëve me subvencionimet e shtetit jashtë Kosovës, në mënyrë që sadopak të ndihmohet ekonomia e vendit”, thuhet në reagimin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit./UBTNews