Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar propozimin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e një tarife vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me Draft-Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.
“Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të qindra avokatëve që ushtrojnë profesionin në kryeqytet, Kryetari Berisha kundërshtoi propozimin për vendosjen e tarifës vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi”, thuhet në njoftim.
Sipas OAK-së, avokatia nuk mund të trajtohet si veprimtari tregtare, pasi ajo ka rol kushtetues në garantimin e të drejtës për mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor.
“Avokatia nuk është veprimtari tregtare dhe nuk mund të trajtohet njësoj me bizneset komerciale. Avokati është bartës i një funksioni të domosdoshëm për realizimin e të drejtës kushtetuese në mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor”, theksohet në qëndrimin e OAK-së.
Po ashtu, gjatë diskutimit është vënë në pah se vendosja e një tarife të tillë do të krijonte precedent të gabuar për profesionet e drejtësisë.
“Vendosja e një tarife të tillë ndaj avokatëve është në kundërshtim me natyrën dhe rolin kushtetues të profesionit, ndërsa trajtimi i tyre si kategori biznesi për qëllime fiskale krijon precedent të gabuar”, ka deklaruar kryetari Berisha.
OAK vlerëson se çdo barrë financiare ndaj avokatisë reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët, duke rritur kostot dhe duke vështirësuar qasjen në drejtësi.
Në fund, OAK ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që avokatia të përjashtohet nga kjo rregullore dhe ka paralajmëruar se argumentet e saj do të dorëzohen edhe me shkrim në kuadër të procesit konsultativ.