UBT News

Oda e Afarizmit të Kosovës kundërshton masat e reja të Qeverisë

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kundërshtuar masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës. OAK shpreh indinjatë që Kuvendi i Kosovës nuk po e kalon Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

“OAK shpreh indinjatë që Kuvendi jonë nuk është në gjendje të realizoj një veprim të vetëm, e i cili është kalimi i Pakos së Rimëkëmbje Ekonomike duke kërkuar edhe njëherë që në këtë pako të merren parasysh kërkesat e bizneseve.Kjo tregon një jo seriozitet të lartë të paraqitur në të gjitha instancat shtetërore, sa i përket vendimit të fundit të marrur nga Qeveria e Kosovës për mbyllje të ekonomisë. OAK duke u bazuar në të dhënat e vazhdueshme që marrim nga bizneset dhe gjendjen e rendë në të cilën është biznesi duke vazhduar t’i mbajë jashtë mundësive të saja punëtorët, konsideron se këto masa do ta dëmtojnë shumë rëndë biznesin dhe numri i bizneseve të falimentuara do të rritet së bashku me numrin e qytetarëve të papunë”, thuhet mes tjerat në reagimin e Odës së Afarizmit.

Sipas tyre, vendimet e tilla mund të merren vetëm pasi Qeveria e Kosovës t’i përkrah bizneset dhe puntorët për kohën sa këta qytetarë do të jenë të papunë.

“Qeveria e Kosovës nuk guxon t’ia ndalojë qytetarit dhe biznesit të drejtën e punës dhe të mos i sigurojë mjete për ekzistencë. Jemi të vetëdijshëm që në bazë të realitetit që po ndodh në terren, shumicën e shpenzimeve për mjekim po detyrohet t’i sigurojnë vetë qytetarët pa ndonjë ndihmë nga jashtë. Dhe këto nuk mund t’i sigurojë në qoftë se është i papunë dhe nuk ka përkrahje nga shteti”, thuhet më tej në reagim.

OAK konsideron që Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet tjera shëndetësore duhet të kujdeset që masat për mbrojtje nga COVID-19 të respektohen nga qytetari dhe biznesi, por që të mos ketë kufizime në oraret e punës së bizneseve dhe lëvizjes së qytetarëve.

“Ne jemi për këto masa vetem në atë moment kur institucionet e përkrahin qytetarin dhe biznesin duke siguruar pagat dhe shpenzimet që i shkaktohen nga këto masa ashtu siç janë duke vepruar të gjitha vendet e Evropes. Në bazë të analizave që po shihen për numrin e madh të rasteve në ditë, të gjitha qytetet e Kosovës do të vendosen në zonë të kuqe. Në mënyrë direkte Qeveria po merr obligim që t’i mbajë të gjitha sektoret, të cilat po i mbyllë dhe që fatkeqesisht këtë nuk është duke e bërë. Në parim nuk jemi kundër masave, por jemi për kritere shumë strikte që bizneset dhe qytetarët duhet t’i respektojnë”, thuhet në reagimin e OAK-ut./UBTNews

Exit mobile version