UBT News

“Oda Dibrane” – Festivali që bashkoi shqiptarët përmes trashëgimisë kulturore

Festivali folklorik mbarëkombëtar “Oda Dibrane” zhvilloi edicionin e tij të 31-të më 10 dhe 11 tetor, duke e përforcuar pozicionin si një nga ngjarjet më jetëgjata dhe më të rëndësishme kulturore shqiptare, pas atij të Gjirokastrës.

Këtë vit, festivali u mbajt në qytetet e Dibrës së Madhe (Maqedonia e Veriut) dhe në Peshkopi, ku u bashkuan artistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Për dy ditë, rrugët dhe sheshet e qyteteve u kthyen në skena të gjalla me këngë, valle dhe parada kostumesh tradicionale, duke sjellë larminë dhe bukurinë e trashëgimisë folklorike shqiptare.

Atmosfera u shoqërua nga entuziazmi i qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve të huaj, që ndoqën me interes aktivitetet e shumta, përfshirë “Festën e të vjelave”, ku u promovuan prodhimet bujqësore të zonës.

Në këtë edicion morën pjesë 11 grupe, ansamble dhe shoqëri kulturore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Ndër më të spikaturit ishin Ansambli “Kastriotët” nga Ferizaj, i cili u shpall fitues i festivalit, dhe ansambli “Duflla” nga Shkupi, që u nderua me çmimin “Hazis Ndreu”.

Artistë tjerë të vlerësuar për kontributin e tyre ishin edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve nga Shkupi, grupi i këngëtarëve “Teuta”, orkestra e SHKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, dhe Shoqata Kulturore Artistike “Avjerinos” nga Janina – të gjithë të dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”.

Pjesë e festivalit ishin Qendrat Kulturore të Peshkopisë, Bulqizës dhe Vlorës, ansambli “Brez pas brezi, Sazet e Përmetit dhe shumë të tjerë, që sollën në skenë një mozaik të kulturës shpirtërore shqiptare.

“Oda Dibrane” konfirmon edhe një herë rolin e saj si urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve të të gjitha trojeve dhe një platformë e fuqishme për promovimin e identitetit kulturor kombëtar. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version