Varianti Delta i koronavirusit pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm, tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Delta – variant më ngjitës, i zbuluar për herë të parë në Indi – është regjistruar tashmë në 124 territore, 13 më shumë se javën e kaluar, tha OBSH-ja në raportin javor epidemiologjik.
“Pritet që Delta t’i tejkalojë me shpejtësi variantet e tjera dhe të bëhet dominuese gjatë muajve të ardhshëm”, thuhet në raport.
Nga tri variantet e tjera, të klasifikuara si shqetësuese nga OBSH-ja, Alfa – e zbuluar për herë të parë në Britani – është raportuar në 180 territore; Beta – e zbuluar në Afrikë të Jugut – është raportuar në 130 territore dhe Gama – e zbuluar në Brazil – është raportuar në 78 territore.
OBSH-ja po ashtu tha se 3.4 milionë raste të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë – 12 për qind më shumë se në javën para asaj.
“Me këtë ritëm, pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milionë në tri javët e ardhshme”, tha OBSH-ja.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka infektuar deri më tash mbi 191.5 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur.
Në të gjithë botën janë dhënë mbi 3.9 miliardë vaksina.