UBT News

OAK takohet me ushtruesen e detyrës së shefes së GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka zhvilluar sot një takim me ushtruesen e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, me të cilën ka biseduar për krijimin e zonave ekonomike, informalitetin, mungesën e produkteve strategjike, problemet me normat e larta të interesit nga bankat komerciale, marrëveshjet MSA dhe CEFTA dhe çështje tjera.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi, njoftoi Kusari-Lila rreth punës dhe propozimeve që Oda ka adresuar tek institucionet e vendit përderisa theksoi se kanë krijuar kapacitete për ndihmë praktike në rregullimin e infrastrukturës ligjore e cila po pengon operimin e bizneseve.

Krasniqi, po ashtu potencoi se një prej ligjeve i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm është Ligji për Tregti të Brendshme, i cili do të mundësonte krijimin e konkurrencës lojale në treg.

Ndërsa, Kusari-Lila ka bërë të ditur se disa nga propozimet e OAK-ut tashmë janë të përfshira në planin qeverisës, në mesin e të cilave përmendi Ligjin e punës dhe pushimin e lehonisë.

Në takim u diskutua edhe problemi me paratë e imëta dhe ndalesa nga 5% deri në 8% për kthimin e parave metalike në kartëmonedha, normat e larta të interesit nga bankat komerciale, si dhe nevoja për krijimin e produkteve strategjike të vendit, të cilat do të mbroheshin përmes marrëveshjeve dhe të cilat do të duhej të subvencionoheshin direkt nga shteti.

Në fund të takimit palët lanë të hapura mundësitë e bashkëpunimit dhe kooperimit në vazhdim, me qëllim që komuniteti i biznesit të jep kontributin e tyre në krijimin e një infrastrukture më të mirë ligjore në vend, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version