Paraqitja e problemeve me IP adresat nga operatorët kabllorë, vendosja e rregullave për përdorimin e IP adresave, nxjerrja e një rregullore që do të obligonte operatorët për marrjen e IP adresave nga Shqipëria deri në marrjen e IP-ve zyrtare të Kosovës si dhe aranzhimi i takimit me operatorët, ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u diskutuan në mes Odës së Afarizmit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Bordit të ARKEP-it.
OAK gjatë këtij takimi ngriti problemin e provajderëve me përdorimin e IP adresave të Serbisë, duke bërë kështu që me këtë veprim të dëmtohen qytetarët dhe bizneset.
Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare Nazim Rahimi tha se janë të gatshëm të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai po ashtu potencoi se do të iniciojë aranzhimin e një takimi me operatorët për të parë nga afër se pse është duke ndodhur një gjë e tillë.
OAK ka lobuar edhe më herët tek institucionet vendore që të bëhet ky ndryshim i IP adresave nga Serbia apo Mali i Zi në ato të Shqipërisë, gjë e cila falë bashkëpunimit të ndërsjellë është arritur. Megjithatë kohët e fundit po vërejmë që operatorët kanë kthyer përsëri IP adresat e mëparshme.
Oda e Afarizmit të Kosovës në vazhdimësi është duke pranuar ankesa nga qytetarët dhe nga biznesi i mediave, te të cilat në fund të faqeve po shfaqen reklama në gjuhën serbe, ku me këtë rast në vend që të ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe, qytetarëve dhe bizneseve po i ofrohen ato nga një shtet i huaj konkretisht nga Serbia, që është kundër Republikës së Kosovës.
OAK kërkon fuqishëm që kjo çështje të procedohet tutje, duke pasur parasysh interesin shtetëror, ekonomik dhe qytetar, thuhet në komunikatë.