Gjykata komerciale dhe rritja e efikasitetit të gjyqësorit ishin disa ndër temat kryesore në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, përgëzoi zëvendësministrin Sallahu për pozitën, me bindjen që përmes bashkëpunimit të ndërsjellët do të trajtohen dhe zgjidhen çështjet me interes për komunitetin e biznesit.
Ndër të tjera u theksua që kërkesë urgjente e bizneseve është krijimi i Gjykatës Komerciale, për të cilën duhet që fillimisht duhet të merren parasysh rekomandimet e bizneseve e pastaj të kalojë në Kuvend për miratim, sepse vonesat e trajtimit të lëndëve me të cilat aktualisht po përballen bizneset përveç që po shkatërrojnë bizneset aktuale, gjithashtu po largojnë edhe investitorët e huaj.
Krasniqi tutje shtoi që është mëse e nevojshme të krijohet një komisioni profesional brenda Kuvendit të Kosovës, i cili do të kujdeset për harmonizimin e draft ligjeve para votimit në Kuvend.
Ndërsa Sekretari i bordit të OAK-së, Diamant Elshani kërkoi që të rritet efikasiteti i gjyqësorit, ashtu që lëndët ekonomike të trajtohen me prioritet, e gjithashtu të rritet numri i gjyqtarëve të specializuar dhe të rritet efikasiteti i përmbaruesve.
Zëvendësministri Sallahu përgëzoi OAK-in për punën e realizuar, duke shtuar që janë të hapur për bashkëpunim, me theks të veçantë tek krijimi i Gjykatës Komerciale, pasi që ky aktualisht është një ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë.