UBT News

Nura kërkon mobilizim institucional për Gjykatën Speciale dhe angazhim më të madh diplomatik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka kërkuar mobilizim institucional dhe angazhim të vazhdueshëm shtetëror lidhur me Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se çështja nuk duhet të mbetet vetëm në nivel të deklaratave publike.

Gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit, Nura tha se institucionet e vendit duhet ta kenë Gjykatën Speciale në fokus të angazhimit të tyre, duke kërkuar përgjegjësi shtetërore dhe koordinim të vazhdueshëm.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme duhet ta trajtojë këtë temë ndër prioritetet kryesore, duke shtuar se diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me atë të Shqipërisë, duhet të jetë më aktive në shfrytëzimin e kanaleve diplomatike dhe në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për ndjeshmërinë e çështjes.

“Kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm temë e deklaratave publike, por duhet të jetë pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm dhe të koordinuar”  Jakup Nura, deputet i PDK-së.

Nura shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj mënyrës së trajtimit të kësaj çështjeje, duke deklaruar se Gjykata Speciale i është imponuar Kosovës, ndërkohë që, sipas tij, vëmendja dhe përgjegjësia duhej të drejtoheshin ndaj Serbisë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. /E.A/

Exit mobile version