Trajneri portugez Nuno Espirito Santo e ka përshkruar futbollin si sportin më të pamëshirshëm, por tani do të fokusohet tek e ardhmja e tij pasi që u shkarkua javën e kaluar nga Tottenhami.
Para shkarkimit të tij, Nuno ishte në krye të skuadrës londineze vetëm në 10 ndeshje të Premier Ligës angleze, përcjell KosovaPress.
Portugezi i cili kishte nënshkruar një kontratë dy vjeçare te skuadra e Tottenham në muajin qershor, u zëvendësua nga trajneri italian Antonio Conte.
Nuno Santo tani përmes llogarisë së tij në “Instagram” ka reflektuar mbi aventurën e tij te Tottenham, duke thënë se do të mësojë nga kjo eksperiencë e vështirë.
“Uau, javët e fundit kanë qenë me kaotike. Ky është futbolli, sporti më i pamëshirshëm. Para disa javësh u emërova ‘Trajneri i Muajit’ dhe deri tani kanë qenë disa javë të vështira që prej shkarkimit nga Tottenham”, shkruante Nuno në “Instagram”.
“Kjo është jeta, tani jam duke synuar një aventurë të re. Dua të falënderoj tifozët e Tottenham, kur iu bashkova këtij klubi të madh kisha një vizion që të sjellë trofe këtu, por nuk shkoi siç e kisha planifikuar”, shkruante më tej trajneri portugez.
Nuno u largua nga Tottenham në pozitën e tetë në tabelën e Premier Ligës angleze, ku ka regjistruar pesë fitore dhe pesë humbje në 10 ndeshjet hapëse të sezonit të ri 2021/22.