Pasi arritën fitoren e parë historike në kualifikime për Kampionat Botëror, sot “Dardanët” do të tentojnë ta arrijnë edhe të dytën brenda tri ditëve. Por, përballë vetes Kosova do ta ketë një kundërshtar edhe më të vështirë.
Përveç dy ekipeve, stadiumi “Fadil Vokrri” do të mirëpres edhe tifozët “Dardanët” që rikthehen për ta përkrahur kombëtaren nga tribunat pas dy viteve, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.
I kontaktuar nga Gazeta Express, kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha tha se janë 400 bileta për tifozët, të gjithë në pjesën lindore.
“400 bileta janë në lindje dhe janë të gjithë dardanë” – u shpreh kreu i Dardanëve.
Kujtojmë se në stadium do të lejohen rreth 1350 persona gjithsej, prej tyre 400 do të jenë tifozë brenda stadiumit.
Hera e fundit kur Kosova luajti një ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte ajo ndaj Anglisë më 17 nëntor të vitit 2019.