Andres Iniesta, një nga emrat më të njohur dhe të respektuar në historinë e futbollit, ka vendosur të mbyllë kapitullin e tij si futbollist profesionist. Siç raporton “Relevo”, Iniesta do të shpallë vendimin e tij më 8 tetor, një datë me rëndësi simbolike për të, pasi numri 8 e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij të jashtëzakonshme.
Iniesta është i njohur si njeriu që shënoi golin më të rëndësishëm në historinë e futbollit spanjoll, në finale të Botërorit 2010, duke kontribuar në fitoren e Spanjës kundër Holandës. Goli i tij në kohën shtesë jo vetëm që i dha ‘La Roja’ titullin kampion bote për herë të parë, por gjithashtu e vulosi statusin e tij si një nga legjendat e futbollit.
Karriera e Iniesta është e mbushur me arritje të jashtzakonshme. Si lojtar i FC Barcelonës, ai fitoi çdo trofe të mundshëm, duke përfshirë katër tituj të Ligës së Kampionëve, nëntë tituj të La Ligas, dhe gjashtë tituj të Kupës së Mbretit. Ai gjithashtu ka fituar tri trofe të Kupës së Botës për Klube dhe shtatë Superkupa të Spanjës.
Përveç suksesit në nivelin klubor, Iniesta ka luajtur një rol kyç në sukseset e kombëtares spanjolle. Ai është dy herë kampion i Evropës (2008 dhe 2012) dhe u shpall lojtari më i mirë i turneut në vitin 2012.
Një karrierë e tillë legjendare, megjithatë, ka pasur një mungesë të madhe: “Topi i Artë”. Përkundër arritjeve të tij mbresëlënëse, ky çmim i rëndësishëm nuk arriti ta fitojë, një fakt që ka ngjallur diskutime ndër vite mbi vlerësimin e tij në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa Iniesta përgatitet të largohet nga fusha, ai lë pas një trashëgimi të paçmuar, duke u konsideruar një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave. Një lamtumirë e tillë do të jetë pa dyshim një ngjarje e rëndësishme për të gjithë tifozët e futbollit, që e kanë ndjekur dhe admiruar karrierën e tij të jashtëzakonshme./UBTNews/