UBT News

Numërohen 27.66% e votave nga përfaqësitë diplomatike, LVV kryeson me 83.82%

Ka vazhduar publikimi i rezultateve nga votat e përfaqësive diplomatike për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar deri më tani rezultatet nga numërimi i 13 prej 47 kutive të votimit në përfaqësitë diplomatike, që përbëjnë 27.66 për qind të totalit.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 6 mijë e 482 vota apo 83.82 për qind të votave të numëruara.

Partia Demokratike e Kosovës deri më tani ka siguruar 579 vota apo 7.49 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 462 vota apo 5.97 për qind.

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 124 vota apo 1.60 për qind.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, subjektet e tjera politike kanë marrë një numër më të vogël votash. Kosova Demokratik Türk Partisi ka siguruar 37 vota apo 0.48 për qind, ndërsa PSD-ja 12 vota apo 0.16 për qind.

Bazuar në rezultatet aktuale nga votat e përfaqësive diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ruajë epërsinë bindëse në diasporë dhe mandatin e 49-të në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, 92.87 për qind e votave të vendvotimeve të rregullta në Kosovë janë numëruar deri më tani.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.53 për qind, PDK-ja 21.23 për qind, LDK-ja 17.12 për qind, ndërsa AAK-ja 7.42 për qind.

Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe kishte përfunduar më 28 prill, nuk pati kuorum për votim. /E.A/

 

Exit mobile version