UBT News

Numërimi i votave në Kosovë drejt fundit, LVV pritet të marrë 51 ulëse

Numërimi i votave për partitë politike dhe kandidatët për deputetë po shkon drejt përfundimit në Kosovë.

Në Qendrat Komunale të Numërimit procesi tashmë ka përfunduar, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i votave të përfaqësive politike dhe po vazhdon ai i votave me postë. Ende nuk ka filluar numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rreth 92% e votave janë numëruar, ndërsa pjesa e mbetur prej rreth 8% mund të sjellë ndryshime të vogla në renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe mandateve.

Sipas projeksioneve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje pritet të fitojë 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në listën e kandidatëve që aktualisht janë në zonën e sigurt për mandat janë Jeton Raka, Valon Peci, Naim Bardiqi dhe Drita Pajaziti, ndonëse renditja mund të ndryshojë me votat e mbetura.

Jashtë listës, por shumë afër mandatit, mbeten edhe kandidatë të tjerë si Fitim Haziri, Sylejman Meholli, Egzon Azemi dhe të tjerë, me diferenca të vogla votash.

Partia Demokratike e Kosovës pritet të ketë 23 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës deri tani ka të sigurta 19 ulëse. Për shkak të vazhdimit të numërimit të votave me postë, këto numra ende mund të pësojnë ndryshime të vogla.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7 ulëse, ndërsa në disa raste kuota gjinore ka ndikuar në përbërjen përfundimtare të deputetëve.

KQZ pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre planifikohet deri më 6 korrik.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, sfidë mbetet formimi i institucioneve të reja dhe zgjedhja e presidentit, për të cilën do të nevojiten marrëveshje ndërmjet partive politike.

/A.K/

Exit mobile version