Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së, International Atomic Energy Agency (IAEA), deklaroi se nuk ka asnjë tregues që sulmet e Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit kanë goditur objekte bërthamore. Kreu i saj, Rafael Grossi, tha se agjencia nuk ka prova që instalimet bërthamore iraniane janë dëmtuar, pavarësisht pretendimeve të Iranit se një prej tyre është sulmuar.
Programi bërthamor i Iranit ka qenë një nga arsyet kryesore që Izraeli dhe SHBA-ja kanë përmendur për sulmet, duke argumentuar se Irani po afrohej drejt aftësisë për të prodhuar një bombë atomike. Megjithatë, Grossi theksoi në një deklaratë para Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së se nuk ka indikacione për dëme në objektet bërthamore.
IAEA ka pasur kontakte shumë të kufizuara me autoritetet iraniane kohët e fundit dhe nuk ka staf në terren në Iran, por po monitoron situatën përmes imazheve satelitore. Teherani nuk ka lejuar rikthimin e inspektorëve të IAEA-së në objektet e goditura që nga sulmet e qershorit.
Nga ana tjetër, ambasadori i Iranit në IAEA, Reza Najafi, deklaroi se kompleksi bërthamor në Natanz ishte sulmuar sërish. Sipas tij, objektet bërthamore “paqësore” të Iranit janë vënë në shënjestër.
Natanz përfshin dy impiante për pasurimin e uraniumit, një mbi tokë – që sipas IAEA-së u shkatërrua në qershor – dhe një nëntokësor, i cili u dëmtua rëndë.
Grossi, i cili ka marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani në Gjenevë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për çështjen bërthamore, tha se raundet e fundit nuk arritën një marrëveshje. Ai bëri thirrje për rifillimin e dialogut, duke përsëritur se IAEA nuk ka prova të besueshme për ekzistencën e një programi të koordinuar për armë bërthamore në Iran. Irani, nga ana e tij, mohon që programi i tij bërthamor të ketë qëllime ushtarake. /Reuters/
