Norvegjezi Martin Odegaard, përpara se të rikthehej në Santiago Bernabeu ishte i huazuar në skuadra të ndryshme.
Mesfushori ofansiv, luajti për skuadrat Heerenveen, Vitesse e së fundmi para se të kthehej në kampin madrilen, luajti për Real Sociedad, e që zhvilloi paraqitjet më të mira, që prej kohës kur u huazua në një skuadër nga Real Madridi.
Mirëpo, skuadra madrilene pas super paraqitjeve të tij, vendosi ta kthej në skuadër, dhe t’i jap një rast për të treguar vetën, e që duket që nuk i ka mbushur syrin teknikut francez Zinedine Zidane.
Lojtari 22 vjeçar është aktivizuar vetëm në gjashtë ndeshje, në të cilat nuk ka shënuar asnjë gol e as që ka dhënë ndonjë asist, duke lënë të kuptohet se norvegjezi nuk ka arritur të tregojë vlerat që ka.
Kjo situatë ka shtyrë madrilenët që të mendojnë huazimin e lojtarit në afatin kalimtar të janarit, ku në garë ka disa skuadra. Siç raporton gazeta spanjolle AS, skuadra që e kishte të huazuar lojtarin norvegjez, Real Sociedad, ka shprehur interesim për ta marrë përsëri lojtarin në huazim.
Përveç skuadrës spanjolle ka edhe tjera skuadra nga Spanja që janë të interesuara, teksa edhe ekipe nga anglia kanë shprehur interesim për talentin 22 vjeçar, për të cilin do të vendoset gjatë ditëve në vijim./UBTNews