Kamerat e DAZN, platfomrës online që transmeton ndeshjet e Serie A në Itali, kanë regjistruar arbitrin e ndeshjes Juve-Roma, Daniele Orsato, duke u justifikuar te lojtari i verdhekuqve, Bryan Cristante, për episodin më të diskutuar të javës në kampionatin italian, penalltinë e dhënë në favor të Romës, edhe pse sulmuesi i saj Tammy Abraham kishte dërguar topin në rrjetë.
“Nuk jepet avantazh kur ka penallti, kurrë”, dëgjohet të thotë arbitri. “Po më fajëson mua pse humbe penalltinë?”. Cristante ishte pikërisht lojtari që më pas e humbi penalltinë, që do t’i kishte sjellë Romës golin e barazimit. Takimi u mbyll me fitoren 1-0 të bardhezinjve.
Por shpjegimi i arbitrit nuk është i saktë, nëse zbatohet rregullorja. Avantazhi në lojë është e drejtë e gjyqtarit që të akordohet në bazë të fazës së lojës apo zonës së fushës ku ndodh edhe faulli. Dhe nuk parashikon asnjë kufizim, nëse bëhet fjalë për penallti, apo goditje dënimi jashtë zonës së rreptësisë.